Me 11 shkurt të vitit 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit.
Si sot 92 vjet me pare, Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i Kongresit të Lushnjes, një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë kombëtare për vendimet që mori, ndërkohë që qeveria e dalë nga ky kongres, zgjodhi në krye të saj patriotin Sulejman Delvina. Saktësisht, më 11 shkurt të vitit 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja që iu bë asaj nga populli tiranas, të cilit iu desh ta mbronte me gjak këtë qeveri. Atë ditë, në godinën e cila ndodhet në fillim të rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare me kryeministër Sulejman Delvinën.
Historia e emrit
Për herë të parë emri Tiranë përmendet në vitin 1418, në një dokument venedikas për t'u kujtuar në shekullin e 15-të nga historiani dhe shkrimtari i madh Marin Barleti. Si datë e themelimit të Tiranës si qytet në zemër të Shqipërisë merret viti 1614, kur me kujdesin e Sulejman pashë Bargjinit u ngrit bërthama e parë e qytetit, me një xhami, një banjë (hamam), një furrë dhe disa dyqane. Tirana për gati dy shekuj qëndroi nën degën e familjes Toptani nga Kruja. Që nga mesi i shekullit XVII-të Tirana nisi të zhvillohej dhe në të u ndërtua një pazar i pajisur me zejtari të ndryshme. Po aq të lashta sa edhe vetë qyteti janë edhe dy lagjet , ajo e Mujos dhe e Pazarit, që ndodhen në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit.Në vitin 1789 nisi të ndërtohej xhamia e Et'hem Beut , në vitin 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, në gjysmën e parë të shekullit XIX-të mbi lumin Lanë u ndërtuan dy ura, ajo e Tabakëve dhe ura e Terzijve. Çezmat në Tiranë, megjithëse të pakta, konsideroheshin si diçka e shenjtë. Mund të përmendim këtu kroin e Banes, çezmën e Kroit të Shëngjinit etj.
Shtrirja gjeografike
Tirana ndodhet 110 metra mbi nivelin e detit dhe ka një shtrirje gjeografike në të njëjtin paralel me Napolin, Madridin dhe Stambollin, si dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin. "U themelua për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt", thuhet në buletinin e botuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Ndryshimi pas shpalljes
Po si do të ndryshonte pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet me vendim të Kongresit të Lushnjës dhe si u kthye në qendër të jetës politike- shoqërore? Në dokumentet e shkruara të kohës janë fiksuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me planin rregullues të kryeqytetit të ardhshëm dhe godinat që do t'i rezistonin kohës akoma dhe për shumë vite të tjera. Të gjitha të dhënat do të hidheshin në pjesën idilike në një album shkruar nga Osman Myderizi, të cilat vazhdojnë të ruhen ende në një nga regjistrat e seksioneve të Bashkisë së Tiranës.