Pas studimeve më të reja, shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se meteorët, të cilët e kanë ‘bombarduar’ Tokën para katër miliardë vitesh, në fakt nuk e kanë shkatërruar jetën në planet, por e kanë nisur atë.
Shkencëtarët kanë marrë copëza nga meteorët në Antarktik dhe i kanë ekspozuar ndaj nxehtësisë dhe shtypjes. Në këtë mënyrë janë krijuar kushte të cilat i kanë paraprirë jetës që ne e njohim.
Ekspertët kanë vërejtur se mbetjet e meteorëve kanë emituar amoniak- përbërës bazë për prodhimin e aminoacideve, të njohur si blloqe ndërtuese të jetës.
Janë analizuar edhe atomet e azotit në amoniak, dhe është vërejtur se izotopi i atomit nuk u përgjigjet atyre që aktualisht janë në Tokë, duke hequr dyshimin se amoniaku është pasojë e kontaminimit gjatë këtij eksperimenti.
Të dhënat më të hershme fizike që tregojnë për jetën në Tokë janë fosilet, të cilat datojnë prej para 3.8 miliardë vitesh. Ende nuk dihet me saktësi se si ka filluar jeta në Tokë, por supozohet se shkaktar i saj ka qenë shtypja ekstreme dhe nxehtësia të kombinuar me substancat kimike nga gjithësia.
Ndërsa, sipas Telegraph, ky studim i fundit i realizuar në Universitetin e Arizonas, sugjeron se substancat kimike vijnë nga meteorët që e kanë ‘goditur’ tokën.