Yetit ekzistojnë dhe jetojnë në malet e Siberisë në Rusi - thonë shkencëtarët të cilët pohojnë se kanë gjetur dëshmi të pakontestueshme për ekzistencën e këtyre kafshëve leshtore, shkruan Telegraph.
Një ekip shkencëtarësh nëpërmjet një komunikate për media njoftoi se në rajonin e minierave të qymyrit Kemerovo në Rusi janë gjetur gjurmë dhe qime të Yetit, gjatë një ekspedite shkencore për ta gjetur këtë kafshë mitike. “Gjatë ekspeditës në shpellën Azasskaya, shkencëtarët zbuluan dëshmi të mjaftueshme se malet e Shorias janë të banuara nga ‘Njeriu i Borës’”, thuhet në komunikatën e grupit shkencor.
Ekspedita ishte organizuar nga guvernatori i Kemerovos dhe ai ftoi shkencëtarë nga SHBA-të, Kanadaja dhe disa vende tjera për të zbuluar nëse vërtetë kjo kafshë ekziston.
“Shkencëtarët gjetën gjurmët, strofullin e tij dhe shenja të ndryshme me të cilat yeti shënon territorin”, thuhet në komunikatë. Artefaktet e koleksionuara do të analizohen në një laborator special. Yetit sipas miteve besohet se janë kafshë me trup të madh dhe leshtorë e që mendohet se ende jetojnë në malet e Himalajeve.