Të dhëna të reja mbi evolucionin pas një eksperimenti 21-vjeçar
Të dhëna të reja mbi evolucionin pas një eksperimenti 21-vjeçar Në vitin 1988, një profesor i asociuar nisi rritjen e kulturave të bakterit Escherechia Coli; 20 vjet dhe 40'000 breza bakteresh më pas, Riçard Lenski, tani profesor i ekologjisë mikrobiale në Universitetin e Shtetit të Miçiganit, në SHBA, jep të dhëna të reja mbi dallimin mes ndryshimeve përshtatëse dhe ndryshimeve të rastësishme gjenetike gjatë evolucionit të gjallesave.
Duke ndjekur gjenomat e breznive të njëpasnjëshme të bakterit në fjalë, të cilat janë ngrirë përkohësisht gjatë viteve, Lenski dhe ekipi i tij vunë re se ndryshimet përshtatëse dhe ndryshimet e rastësishme nuk ndjekin doemos çdo herë të njëjtin model.
Përkundër një ekuilibri të ngadaltë edhe në kushte mjedisi të njëjtë, ndërveprimi mes këtyre dy lloj ndryshimeve të gjenomës “është i ndërlikuar dhe ndryshe nga ç’mund të presim normalisht,” thotë ai në raportin e posaçëm.
Ndryshimet e mëhershme në baktere dukeshin të ishin përshtatëse në shkallë të gjerë, duke i ndihmuar kështu baktereve të ishin të suksesshme në mjedisin ku ndodheshin.
“Gjenoma e tyre po zhvillohej me një ritëm të qëndrueshëm edhe kur përshtatja e baktereve nisi të ngadalësohej,” thekson ai. “Por befas ritmi i mutacionit kërceu përpjetë dhe një raport i ri u vendos mes këtyre dy ndryshimeve.”
Në brezin 20’000, p.sh., ekipi vuri re se kishin ndodhur rreth 45 mutacione, por, 6’000 breza më pas, një mutacion gjenetik që preku metabolizmin shërbeu si shkëndijë që rriti numrin e mutacioneve, aq sa në brezin 40’000 kishin ndodhur diku 623 të tilla.
Në dallim nga ndryshimet e mëhershme, shumë prej këtyre mutacioneve të fundit dukeshin më të rastësishme dhe asnjanëse.
Zbulimet e pritura prej kohësh tregojnë se përllogaritja e ritmit dhe e llojeve të ndryshimeve evolutive mund të jetë shumë më e vështirë në mungesë të një gjedheje në shkallë të gjerë.
“Ndërthurja e luhatshme dhe e ndërlikuar mes evolucionit dhe përshtatjes së gjenomës, edhe në kuadër të një sistemi të thjeshtuar si ky, na paralajmëron kundër interpretimeve të formës së prerë, për sa i përket ritmeve të evolucionit të gjenomave në natyrë, pa pasur më parë dije të gjegjësishme të proceseve molekulare dhe gjenetike të popullsive në studim,” shkruajnë autorët.
Paraqitje të tilla të hollësishme të ritmeve mutacionale u bënë të mundura me metodën e breznimit të përshpejtuar të gjenomave.
“Është tepër e këndshme të kesh mundësinë të tregosh se si, saktësisht, i ka ndryshuar përzgjedhja gjenomat e këtyre baktereve, hap pas hapi, për dhjetëra mijëra breza,” thotë Lenski.
Të dhënat e reja “vënë bukur në dukje vijimësinë e mutacioneve që i mundësuan këtyre organizmave të ngjiten drejt efikasitetit gjithnjë e më të lartë në mjedisin e tyre,” pohon Dominik Shnajderi i Universitetit "Zhozef Furié" në Grenobël, Francë, dhe bashkautor i studimit.
Studimi, i cili është botuar tashmë dhe në revistën “Nature”, vjen pikërisht në 150-vjetorin e botimit të “Prejardhjes së llojeve” të Çarls Darvinit. Këto zbulime mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mutacionet në sëmundjet e njeriut.
“Përhapja e kancerit është në thelb një proces i njëjtë evolucionar,” thotë Xhefri Barriku, kryeautor i studimit. Dhe ndonëse ekipi do të vazhdojë të hetojë zhvillimin e baktereve në kërkim të përgjigjeve të reja, ai shton: “Dimë mjaft tashmë rreth hollësive të evolucionit në këto shishe laboratori.”