Astronomët kanë zbuluar një yll të ngjashëm me Diellin, plot 456 vite dritë larg Tokës. Ndryshimi kryesor i këtij trupi qiellor të quajtur “SAO 206462” nga mijëra yje tjerë të zbuluar më parë qëndron në disqet e gazit dhe pluhurit rreth tij.
Duke pohuar se është hera e parë që përballen me një yll të tillë, shkencëtarët theksojnë se brenda disqeve misterioze mund të gjenden planetë të tjerë.
Pjesë e grupit të yjeve Ujk “SAO 206462” është parë muajin e kaluar nga teleskopi “Subaru” në Havai. Disqet në trajtë spiraleje të yllit. mosha e të cilit mendohet të jetë 9 milionë vjeçare, përhapen në një hapësirë 23 miliardë kilometra. Kjo largësi është e barabartë me dyfishin e orbitës së Plutonit të gjendur në sistemin tonë diellor.
Bazuar në të dhënat e përftuara nga teleskopi “Subaru”, në dy zgjatjet spirale të yllit mendohet të jenë të paktën 3 planetë si dhe të tjerë në krijim. “Simulimet e detajuara të kompjuterit tregojnë se forca tërheqëse e një planeti mund të ndryshojë të gjithë gazrat dhe pluhurat rreth yllit, për këtë arsye janë krijuar krahët spiralë. Është hera e parë që shohim veçori të tilla dinamike”, u shpreh Carol Grady nga Qendra Hapësinore Goddard e NASA-s. Grady ka pesë vjet që bën pjesë në ekipet e studimeve shkencore të teleskopit “Subaru”.
Teleskopi i vendosur në një lartësi 4,2 km mbi nivelin e detit në vullkanin Mauna Kea në Havai, drejtohet nga qendra vëzhguese astronomike japoneze.